Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për “Zërin” se deri tani rastet e dyshuara me koronavirus kanë rezultuar të jenë negative. Ajo është shprehur se janë planifikuar të gjitha masat e nevojshme në rast të paraqitjes së rasteve.
“Rastet janë negative me koronavirus. Dy persona janë lëshuar në shtëpi, ndërsa një person jemi duke e mbajtur për arsye të tjera shëndetësore e jo për koronavirusin. Rastet janë kthyer nga Italia. Gjitha masat të cilat janë të nevojshme janë planifikuar në kuadër të planit të gatishmërisë dhe të veprimit”, ka potencuar ajo.
Ndërsa infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se shtetet tjera e kanë të vështirë ta parandalojnë koronavirusin, kështu që nuk është e çuditshme që ai të përhapet edhe në Kosovë. Sipas tij, qytetarët mund të infektohen me koronavirus edhe duke prekur gjësende në të cilat ka kollitur një person i prekur me të.