Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se vendi po ndërton themelet e industrisë vendore të mbrojtjes, duke nisur zhvillimin e dronëve luftarakë dhe civilë “Made in Kosova”.
Gjatë një vizite në Gjilan, së bashku me kryetarin e komunës Alban Hyseni, Kurti vizitoi disa kompani që po merren me prodhimin e këtyre pajisjeve të avancuara, përfshirë kompaninë e dronëve ushtarakë “Skifteri” dhe ato të dronëve civilë nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.
Sipas Kurtit, produktet “Made in Gjilan” po e shndërrojnë Kosovën në një vend që nuk është vetëm konsumues, por edhe prodhues të teknologjisë së mbrojtjes. Ai prezantoi dy modele të reja të dronëve të zhvilluar në vend: Droni kamikaz “K1”, i cili arrin shpejtësi deri në 180 km/h dhe fluturon në lartësi deri në 2500 metra, “Skifteri”, që mund të operojë në lartësi deri në 5000 metra, me hapësirë veprimi prej 20 km dhe shpejtësi deri në 270 km/h.
Kreu i ekzekutivit theksoi se Kosova tashmë ka investuar ndjeshëm në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse, përmes blerjes së dronëve nga shtetet partnere si Bayraktar TB-2, Puma, dhe më së fundmi Skydagger, por tani po kalon në një fazë të re – prodhimin e dronëve luftarakë brenda vendit.
“Si qeveri, do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe investimet në mbrojtje e siguri, si në nivel qendror ashtu edhe lokal,” deklaroi Kurti.
Kjo nismë vlerësohet si hap i rëndësishëm drejt pavarësisë teknologjike dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke e futur vendin në hartën e inovacionit në industrinë e mbrojtjes në rajon.










