Dy tërmete të fuqishme kanë goditur Shqipërinë brenda 11 minutave. Tërmetet kanë qenë aq të fuqishme, saqë dridhjet janë dëgjuar edhe në Kosovë dhe tetë shtete të tjera. Nga këto tërmete kanë mbetur të lënduar shtatë persona në Shqipëri. Për gjendjen atje, ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se menjëherë pas këtij lajmi, i ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, derisa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejt.
Haradinaj ka bërë të ditur se Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet.
“Kam udhëzuar Gjenaralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. Të gjithë të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, nga ajo që raportohet nga Qendrat Ndërkombëtare Sizmologjike, shkalla e tërmetit ka qenë mbi 5.6 ballë të Rihterit.
Përveç në Kosovë, lëkundje të forta janë ndjerë edhe në Bullgari, Bosnje, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.
Vlen të theksohet se lëkundjet më të forta janë ndjerë në zonën e Durrësit, qytet i cili ka qenë më së afërti epiqendrës së tërmetit.
Lëkundjet e forta të tërmetit në Tiranë raportohet se kanë shkaktuar panik dhe frikë tek qytetarët, të cilat kanë lënë menjëherë shtëpitë dhe kanë dalë në rrugë. Lëkundjet e tërmetit zgjatën për disa sekonda, ndërsa raportohet se shkaktoi dëme materiale në shumë banesa.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit.