Kosova pritet të furnizohet me 195 mijë e 287 vaksina Anti-COVID deri në fund të muajit gusht. Pesë mijë vaksina pritet të vijnë këtë javë nga Bashkimi Evropian, i cili deri në fund të muajit gusht do ta furnizojë Kosovën me gjithsej 94 mijë e 667 doza të vaksinës. Ndërsa, COVAX ka premtuar që deri në fund të këtij muaji ta furnizoj Kosovën edhe me 100 mijë e 620 vaksina.
Kosova ka siguruar furnizimin me mbi 195 mijë vaksina Anti-COVID deri në fund të muajit gusht.
Ndonëse shumë shtete tashmë kanë vaksinuar qindra mijëra e miliona qytetarë, vendi deri tani ka arritur të furnizohet me vetëm 24 mijë vaksina.
Ndërsa, vendi nesër pritet të furnizohet me 5 mijë doza të vaksinave nga Bashkimi Evropian.
Nga BE kanë deklaruar se furnizimi i vendit me vaksina do të vazhdoj edhe më tej.
Zëdhënës në BE kanë thënë për Express se duke filluar nga kjo javë deri në gusht, Kosova do të furnizohet me 94 mijë e 667 doza të vaksinave.
Ata kanë deklaruar se këto doza do të plotësojnë dërgesat e para nga COVAX.
“Komisioneri do të jetë në Kosovë të mërkurën për të diskutuar me autoritetet përgjigjen ndaj pandemisë dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst. Do të ketë këste javore si për shtetet anëtare, duke filluar nga kjo javë deri në gusht. Nga gjithsej 651,000, Kosova do të marrë 94,667 për të ndihmuar vaksinimin e punonjësve mjekësorë të vijës së parë dhe grupeve të tjera të prekshme. Këto doza do të plotësojnë dërgesat e para nga COVAX, ku BE dhe shtetet anëtare janë një kontribuues kryesor me pothuajse 2.5 miliardë euro”, është thënë për gazetën.
Nga BE kanë thënë tutje se do të vazhdojnë diskutimet me shtetet anëtare dhe prodhuesit për të ndarë më shumë doza të vaksinave.
“Siç e dini mekanizmi i ndarjes së vaksinave të BE-së që po ngrihet do t’i kushtojë vëmendje Ballkanit Perëndimor, fqinjësisë dhe Afrikës dhe më gjerë. Pra, ky njoftim i parë i vaksinave të financuara nga BE i siguruar në bazë të marrëveshjeve të përparuara të blerjes duhet të shihet si fillimi i ndarjes së vaksinave të BE’së me Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë diskutimet me shtetet anëtare dhe prodhuesit për të ndarë më shumë sasi pasi ato të bëhen të disponueshme”, kanë thënë zëdhënës të BE’së.
Ndërsa, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave “Gavi”, i kanë thënë gazetës se Kosovës i janë ndarë vaksinat e Astra Zenecax dhe Pfizer, por që nuk janë në gjendje të tregojnë se kur saktësisht do të vinë dozat shtesë të vaksinave në vend.
Nga kjo aleancë kishin bërë të ditur më herët se deri në maj shtetet anëtare në COVAX do të furnizoheshin me raundin e parë të vaksinave, në të cilin për Kosovën ishin paraparë 100 mijë e 800 doza.
Ndërsa, në faqen e UNICEF’it bëhet e ditur se përveç 24 mijë dozave që ka marrë deri tani Kosova nga COVAX, momentalisht asnjë dozë e vaksinës nuk është duke u bërë gati për furnizim.
Mirëpo, Kosova ka të alokuara 201 mijë e 420 doza të vaksinave nga COVAX.
Kujtojmë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar ditë më parë se tani janë në bisedime të drejtpërdrejta me të gjitha kompanitë prodhuese për të pasur marrëveshje për sigurimin e vaksinave.
Ai ka thënë se janë në rrugë të mbarë për sigurimin e vaksinave për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë.
Përkundër që Kosova pritet të furnizohet deri në gusht me rreth 200 mijë doza të vaksinave, vendi vazhdon të jetë larg shteteve tjera sa i përket furnizimit.