Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, janë disa nga problemet që po ballafaqohet Kosova 25 vjet pas çlirimit.
Profesori universitar, Muhamet Sadiku derisa kërkon nga qeveria më shumë reforma në çështjet që ndikojnë në ekonominë, thotë se Kosova vazhdon për vite të tëra të përballet me probleme të njëjta.
Në një intervistë për KosovaPress, profesori Sadiku thotë se derisa të gjitha vendet kanë bërë indeksimin e shpenzimeve sociale, e të pensioneve, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur në këtë aspekt, për çfarë thotë se kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet ekonomia e vendit. Sipas Sadikut, në vend mungon ndjesia për zhvillim social, i cili thotë, se Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta edhe në shëndetësi, arsim dhe në sektorë të tjerë.
Derisa flet për ngecjet ekonomike, Sadiku rendit problemet që po ballafaqohet vendi në aspektin ekonomik, dhe shton se sfidë mbetet edhe bilanci tregtar negativ. Në këtë drejtim vlerëson se Kosova duhet të fuqizojë sektorin eksportues.
Ai mes tjerash, nënvizon se Kosova vazhdon të përballet me problemn e varferisë, për cfarë thotë se shteti duhet të përmirësojë qeverisjen me rritje ekonomike. Në anën tjetër, ai thotë se shqetësuese mbetet edhe rënia e investimeve të huaja.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. Sipas FMN-së, kjo normë e rritjes në vitin 2023 ishte 3.3 për qind./Demokracia/