Partia në pushtet trumbetoi në fushatën e 2019-ës, se me ardhjen në qeverisje, qytetarët do të bëhen me sigurim shëndetësor.
Mirëpo, as pas gati katër vjet në krye të shtetit, nuk është instaluar sistemi informativ shëndetësor, si parakusht për implementimin e Ligjit për Sigurimin shëndetësor.
Sistemi digjital do të menaxhojë të dhënat adekuate, duke mundësuar shërbime më efikase për çdo pacient.
Bazuar në vonesat në proces, kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, nuk shpreson se kosovarët do të kenë sigurime shëndetësore së shpejti.
“Pa një sistem të informimit shëndetësor, nuk mund të pretendohet asnjëherë për një sigurim shëndetësor të mirëfilltë, për shkak se nuk e dimë asnjëherë gjendjen shëndetësore të popullatës, nuk e dimë sa shërbime po ofrohen, sa barna po përshkruhen, sa punëtorë duhet t’i kemi etj…”, deklaroi Kodra.
Në prill, Qeveria e Kosovës e pati miratuar Planin Strategjik për SISH-in, ku përmendet se deri në vitin 2030, do të ketë progres në funksionalizimin e sistemit digjital.
Mungesa e SISH-it, sipas Kodrës, favorizon grupe të interesit në Kosovë.
Projektligji për Sigurime Shëndetësore nuk u miratua as nga Qeveria, përkundër se Ministri i Shëndetësisë tha se do t’ia përcjellë ekzekutivit për votim, në fund të qershorit.
Ish-ministri i këtij dikasteri, Armend Zemaj, thotë se Qeveria po e zvarrit qëllimshëm dërgimin e ligjit për votim.
“Është tepër e pashpjegueshme nëse ti tenton të imponosh një ligj sa për sy e faqe, ndërsa zbatueshmëria të jetë zero, pa pjesët funksionale të saj, siç e thashë, SISH-i, lista e çmimeve tavan të barnave”, tha Zemaj.
Derisa sigurimet shëndetësore të bëhen, qytetarët e Republikës do ta kenë hall qasjen në shërbimemjekësore, në mungesë të të ardhurave financiare.
“Mungesa e sigurimit shëndetësor e pengon qasjen e njerëzve në shërbime shëndetësore për shkaqe ekonomike, siç thotë edhe raporti i progresit, deri në 20% e qytetarëve e kanë të pamundur ose shumë të vështirë qasjen në shërbime shëndetësore”, thotë tutje Kodra.
Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2014 pati synuar që 30% e territorit të Kosovës, të mbulohej nga sistemi digjital i të dhënave.
Deri në vitin 2020, SISH-i do të duhej ta mbulonte gjithë vendin./atvlive.tv