Ishte përfaqësuesja U-17 e Zvicrës me të cilën Granit Xhaka nisi shpërthimin në skenën e madhe. Në vitin 2009, Zvicra me Xhakën, Frederik Veselin e Pajtim Kasamin në përbërje, fitoi kampionatin botëror.
Përfaqësuesja U-17 e Zvicrës të hënën e luajti ndeshjen e radhës të saj. Nuk kishte ndonjë futbollist shqiptar në përbërje. Por kishte shumë futbollistë shqiptarë në ekipin tjetër, që edhe fitoi në fund.
Është përfaqësuesja U-17 e Kosovës në futboll që të hënën fitoi 1:0 ndaj Zvicrës, në një prej ndeshjeve më të suksesshme të Kosovës në grupmoshat e reja deri më tash. Ndeshja u luajt në Paphos të Qipros, ndërsa ishte e vlefshme për grupin e pestë të raundit kualifikues për “Euro 2020”.
Me fitore, Kosova ka bërë hap të madh drejt avancimit tutje. Është e dyta në grup me tri pikë, sa i ka edhe Zvicra në vend të tretë. Prinë Skocia me katër pikë, ndërsa e fundit është Qipro me një pikë. Në ndeshjen e parë, më 26 tetor, Kosova pësoi 2:1 ndaj Skocisë. Më 1 nëntor, të enjten, luan ndaj Qipros. Dy të parët e grupit avancojnë tutje në raundin elitar kualifikues, ndërsa tutje ka gjasa të shkohet edhe prej vendit të tretë./koha/