Prokuroria Speciale njofton se është ndaluar një person i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj pjesëtarëve KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të dielen se është ndaluar një person i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e dhunshëm të vitit 2023 ndaj pjesëtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Policisë së Kosovës gjatë protestës së dhunshme në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
“L. M. dyshohet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Sperciale e Kosovës ka bërë të ditur gjtihashtu se gjatë hetimeve është kryer bastisje në shtëpinë e të ndaluarit, ku janë sekuestruar prova materiale të cilat, sipas saj, konfirmojnë përfshirjen e të dyshuarit në veprime inkrimuese.
Ndryshe, dhjetra serbë janë arrestuar – shumica e të cilëve janë liruar për t’u mbrojtur në liri – për dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023 gjatë protestës kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.