Në pikë të verës, Kosova është futur në një krizë energjetike ngase kostoja e rrymës është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të saj në tregun ndërkombëtar përtej çdo parashikimi. Ndërkohë, Korporata Energjetike e Kosovës -KEK, nuk ka kapacitete për të prodhuar aq rrymë sa është kërkesa në këtë kohë, ngase dy blloqe janë në remont vjetor.Për kundër reduktimeve 6 me 2, shteti i Kosovës po vazhdon të shesë rrymë dhjetëra herë më lirë se sa është në treg të aktualisht.
Liqeni i Ujmanit, që njihet edhe si Liqeni i Gazivodës, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Në liqen ekziston hidrocentrali. Por, rryma që po prodhohet nga penda atje po shkon në Bullgari, ngase kompania publike “Iber Lepenc” që menaxhon me liqenin ka lidhur një kontratë më një kompani private për shitjen e kësaj rryme për tre vite. Po të mos ishte kjo kontratë valide, ose edhe të prishej, Kosova nuk do të kishte ndërprerje të rrymës aktualisht.Se deri kur do të jetë valide kjo kontratë, kanë treguar për Periskopin nga kompania “Iber Lepenc”.
“Kontrata për shitjen e rrymës me kompaninë private është deri me 31.12.2023. Kapacitetet prodhuese te rrymës nga penda ne Liqenin e Ujmanit janë 32 MWh”, kanë thënë për Periskopin nga Zyra për Informim e ndërrmarrjes “Iber Lepenc”.
Periskopi ka kërkuar një sqarim shtesë nga kjo ndërmarrje publike lidhur më atë se sa po kushton shitja e një MWh, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Derisa Hidrocentrali Ujmanit prodhon 32 MW vetëm gjatë një ore, për të shmangur reduktimet, Korporata Energjetike e Kosovës, pardje ka informuar se ka importuar nga Shqipëria në total 100 MW energji elektrike, për të bërë zëvendësimin e reduktimeve.Derisa në kompani nuk kanë treguar se sa po kushton shitja për 1 MW, merret veshë se ajo po bëhet kundruall kontratës së nënshkruar dy vite më parë në një çmim fiks prej 38.11 euro. Në tregun ndërkombëtar çmimi i 1 MW po kushton afërisht 600 euro, çmim të cilin e ka blerë vetëm para pak ditësh KEDS-i, derisa më pas hoqi dorë nga kjo blerje e shtrenjtë.
Nëse bëhet një kalkulim del se 32 Mw energji që prodhohet për një orë, po i shitet bullgarëve për 1216 euro. Energjia e njëjtë nëse shikohen në tregun ndërkombëtar në çmimin mesatar prej 500 eurove, do të kushtonte realisht 16 mijë euro në orë.Bazuar në Bilancin vjetor të energjisë elektrike për vitin 2022 të publikuar nga ZRRE, HC Ujmani është planifikuar që të prodhojë 86 GWh. Prodhimi i rrymës nga ky hidrocentral më i madh bëhet gjatë dimrit, pikërisht atëherë edhe kur është nevoja më e madhe për rrymë në Kosovë, raporton periskopi.
Ngritja e çmimit të rrymës në botë ka bërë që vendi të hyjë në krizë energjetike. Sipas KEDS-it, Kosova po paguan shumëfish më shumë për import të rrymës gjatë në krahasim me vitet e shkuara. Por, në katër ditët e fundit është ndalur importi, çka ka bërë që të hyjnë në fuqi reduktimet. Kjo kompani ka kërkuar ngritjen e çmimit, ndërsa kërkesa do të shqyrtohet nga ZRRE-ja.