Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla i ka shkruar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Gërvalla ka thënë se drafti i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet jo shumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.
Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës. Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat”, ka shkruar ajo mes tjerash në Facebook.