Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se javën e kaluar kanë pranuar fluturaket pa pilot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Maqedonci ka shtuar se prokurimi është realizuar përmes programit shtet më shtet, i njohur si “Foreign Military Sale” dhe pagesa për to është realizuar në vitin 2021.
“Gjatë javës së kaluar pranuam fluturaket pa pilot ‘AeroVironment RQ-20 Puma’ të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Mbrojtjes prokurimin e fluturakeve pa pilot ‘Puma’ nga SHBA-ja e ka realizuar përmes programit shtet më shtet të njohur si ‘Foreign Military Sale’ (FMS). Pagesa për këtë sistem është realizuar në vitin 2021”.
“Fluturaket ‘Puma’, krahas fluturakeve të tjera, janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot. Bashkëpunimi me SHBA-në në fushën e mbrojtjes po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht, duke kontribuuar në zhvillimin e ushtrisë sonë, si dhe në arritjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve tona”.