Klinika e Kirurgjisë Torakale vazhdon të përballet me mungesë të anesteziologëve dhe infermierëve. E krahas këtyre mungesave, kjo Klinikë po përballet edhe me mungesë të sallës së dytë.
Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, ka thënë për Ekonominë Online se mungesa e anesteziologëve u ka vështirësuar paksa punën, pasi një numër i tyre tashmë ka kaluar në sektorin privat.
Ndonëse operojnë me vetëm një sallë operative, Kolgeci shpreh bindjen se salla e dytë do t’u mundësonte t’i kryenin operacione pa pasur nevojë pacientët të dalin jashtë shtetit.
“Numri i mjekëve që e disponojmë është i mjaftueshëm dhe është i njëjtë siç e kanë edhe shtetet e tjera. Me anesteziolog nuk është vetëm te Kirurgjia Torakale, problemi është i tërë SHSKUK-së, për arsye se numri i anesteziologëve është i vogël për krejt Kosovën dhe një numër i anesteziologëve kanë kaluar në sektorin privat dhe kjo normal se e ka vështirësuar edhe punën. Përveçqë kemi problem me anesteziologë, kemi probleme edhe me sallën tjetër, sepse një sallë e dytë neve do të na krijonte kushte shumë më të mira dhe faktikisht pacientët tanë nuk do të kishin hapësirë të dilnin jashtë shtetit”, ka thënë Kolgeci.
Kolgeci ka treguar edhe arsyen pse është i nevojshëm shtimi i numrit të infermierëve, pasi thotë se përkujdesja ndaj pacientëve në këtë klinikë është më e shtuar.
“Stafi i mesëm gjithmonë është problem, çdokund edhe tek ne për shkak se kirurgjia është një departament që kërkon trajtim shtesë. Numri i infermierëve normalisht është i vogël. Me ata që i kemi po mundohemi me i mbulu ato mungesa që i kemi, megjithëse është shumë e vështirë se përkujdesja është më e shtuar sepse nuk është si në klinikat tjera sepse torakalja kërkon edhe trajtim prej-operativ edhe post-operativ. Kështu që stafi i mesëm është mungesë çdokund”, u shpreh ai.
E falënderues për bashkëpunimin është ndaj ministrit Arben Vitia e drejtorin e SHSKUK-së, Elvir Azizin. Nga të dytë pret edhe më tutje investime.
“Prioritet i imi ka qenë komunikimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me drejtorin Elvir Azizin, për arsye se është një bashkëpunim shumë i ngushtë edhe qasja është shumë më e lehtë, kemi pasur investime dhe po besoj që do të kemi edhe në të ardhmen”, u shpreh tutje Kolgeci.