Prishtina do të jetë sonte epiqendra e një sfide të rëndësishme për përfaqësuesen e Kosovës, e cila do të përballet me Islandën në stadiumin “Fadil Vokrri” në duelin e parë të “play-off”-it të Ligës së Kombeve.
Takimi, që nis në orën 20:45, është një hap kyç për ekipin e drejtuar nga Franco Foda, i cili kërkon një rezultat pozitiv para sfidës vendimtare në Spanjë. Fituesi i këtij dueli të dyfishtë do të sigurojë një vend në Ligën B, ndërsa skuadra humbëse do të bjerë në Ligën C për edicionin e ardhshëm.
Përparësia e fushës dhe mbështetja e zjarrtë e tifozëve pritet të jenë armët kryesore të “Dardanëve”, me të gjitha biletat e shitura dhe një atmosferë elektrizuese në kryeqytet.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet të dielën në Murcia të Spanjës, ku Kosova shpreson të finalizojë suksesin dhe të sigurojë ngjitjen në një kategori më të lartë të futbollit evropian.