Kosova as këtë vit nuk do ta përfundoj procesin e liberalizimit të vizave.
Të paktën kështu është thënë nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila ka konfirmuar se çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendën e BE-së, në takimin i cili është caktuar për datat 6 dhe 7 dhjetor.
Hoxha madje e ka quajtur të padrejtë anashkalimin e Kosovës nga BE-ja, për shkak të politikave të tyre të brendshme.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe Artan Murati nga KDI, i cili këto ditë po qëndron në Vjenë.
Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se është konfirmuar që Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave për çështjen e liberalizimit.
“Lajme të këqija prej Austrisë: konfirmohet e pritura, nuk jemi pjesë e agjendës së Këshillit (të Ministrave) për çështjen e liberalizimit. Kjo me gjasë do të na e humbë edhe vitin 2019, pa pasur mundësi të lëvizim lirshëm në zonën Schengen”, ka shkruar Murati.
Ai tutje ka thënë se Bashkimi Evropian e ka humbur busullën me Ballkanin.
“Mrekullia mund të ndodhë me ndonjë lëvizje në çastet e fundit në agjendë. Gjasat për këtë lëvizje janë 0.001%. BE-ja e ka humbë busullën me Ballkanin. Është krejtësisht e ç’orientuar dhe pa strategji konkrete. Edhe institucionet tona, që nga 2010 e deri më tani, më shumë kanë bërë politikë elektorale me liberalizim sesa punë konkrete. Ky është rezultati, qytetarët e mbyllur në disa km2”, ka shkruar Murati në statusin e tij në Facebook.
Ndryshe sot në vendin tonë për vizitë do të qëndroj Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Hahn është thënë se do të qëndrojë për vizitë shkaku i taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe, ku do të kërkojë revokimin e saj.
Nuk dihet nëse Hahn do të sjellë ndonjë lajm edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.
Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe liderët e opozitës.