Kosova sot udhëheq me fushatën e pastrimit global, e cila organizohet në 157 shtete. Për të nisur këtë ditë, udhëheqësit e aktiviteteve të pastrimit, dhe personat përgjegjës për ambientin në Kosovë, kanë marrë pjesë në një aksion në qendër të kryeqytetit, në pastrimin e një deponie. Nga aty, kanë bërë thirrje për vetëdijesim qytetar dhe angazhim më të madh institucional në mënyrë që qytetarët të jetojnë në një ambient të pastër.
Aksion pastrimi ka pasur edhe në qendër të Prishtinës sot, pranë stadiumit “Fadil Vokrri”. Drejtori i “Let’s do it Kosova” Luan Hasanaj kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të ushtrojnë ndikimin e tyre për një ambient më të pastër.
Ai kujtoi vitin e kaluar, ku tha se për tre muaj kanë pastruar rreth 1 mijë deponi ilegale dhe të njëjtat pas një kohe janë kthyer, meqë sipas tij, nuk janë ndërmarrë veprime që të parandalohen grupe të organizuara, të cilat bëjnë ndotje të mjedisit.
Ndërsa ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se fakti që Kosova sot është në qendër të botës duke udhëhequr fushatën e pastrimit që organizohet në 157 vende të botës, tregon që është në rrugë të drejtë për të jetuar në një ambient të pastër.
E drejtoresha e Shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha tha se duhet të rritet vetëdijesimi qytetar për ruajtjen e një ambienti të pastër.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme, mbi 157 shtete të ndryshme të botës do të raportojnë në Qendrën e “Let’s do it” në Kosovë, për aktivitetet që organizojnë në shtetin e tyre. Aktivitetet e Ditës së Pastrimit të Botës pasqyrohen sot përmes një transmetimi drejtpërdrejt 24 orë në rrjetet sociale dhe në Radiotelevizionin Publik të Kosovës.