Komisioni Europian ka lëshuar fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Ky vendim njeh reformat e rëndësishme që partnerët kanë bërë për t’u përshtatur më mirë me standardet e BE-së”, tha Komisioni Europian në deklaratë, raporton Gazeta Express.
Kjo lëvizje e KE-së vjen menjëherë pas vizitës së presidentes Ursula von der Leyen në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria do të marrë disbursimin e saj të parë prej 99.3 milionë eurosh, nga të cilat 46.2 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin e shtetit dhe fondet e mbetura do të mbështesin projektet e infrastrukturës përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (ËBIF). Mali i Zi do të marrë disbursimin e saj të dytë prej 8.1 milionë eurosh, duke përfshirë 3.8 milionë euro të paguara direkt në buxhetin e shtetit dhe pjesën tjetër të caktuar për projekte infrastrukturore përmes ËBIF. Maqedonia e Veriut do të marrë disbursimin e saj të dytë prej 16 milionë eurosh, me 7.4 milionë euro të paguara direkt në buxhetin e shtetit dhe pjesën tjetër të financuar projekte infrastrukturore përmes ËBIF. Pasi të miratohen nga Bordi i ËBIF, këto fonde do të mbështesin projekte infrastrukturore në fusha të tilla si transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, zhvillimi digjital dhe i kapitalit njerëzor, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, thuhet në këtë komunikatë.
Që nga fillimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, shumat totale të shpërndara arrijnë në 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
KE tha se Plani i Rritjes stimulon përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përfitime përpara integrimit të plotë në BE.
“Kjo nga ana tjetër përshpejton shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre”, tha KE.
Ndërkohë, Kosova vazhdon të humbë miliona meqë ende nuk ka përfituar nga kjo paketë miliardëshe për shkak të mungesës së institucioneve. BE i ka kërkuar Kosovës që të themelojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit në mënyrë që të bëhet lëshimi i mjeteve.
Nga Plani i Rritjes, që mbulon periudhën nga viti 2024 deri më 2027, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro.
Kjo paketë prej 6 miliardë eurosh për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor është miratuar në pjesën e fundit të vitit 2023.
Në qershor të këtij viti edhe Serbia kishte njoftuar se ka pranuar mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh./Express/