Kosova është vlerësuar si shteti me nivelin më të ulët të kriminalitetit dhe me më pak viktima nga aksidentet fatale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Këto sipas, nga Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025, i publikuar më 10 nëntor – në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit të Organizuar Transnacional, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Raporti, i hartuar nga organizata ndërkombëtare Global Initiative Against Transnational Organized Crime, analizon shkallën e përhapjes së krimit të organizuar, si dhe aftësinë e shteteve për ta parandaluar dhe luftuar atë.
Përveç treguesve të lidhur me kriminalitetin, vlerësohen edhe fushat që lidhen me trafikun e drogës, tregtinë e paligjshme të qenieve njerëzore, krimin kibernetik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në zbatimin e ligjit.
Sipas rezultateve të indeksit, i cili mat 15 tregje kriminale, 5 lloje grupesh kriminale dhe 12 shtylla të qëndrueshmërisë, Kosova ka marrë vlerësimin mesatar prej 4.85 pikësh në një shkallë nga 1 deri në 10, duke u renditur si vendi më i sigurt në Ballkan.
Në raport theksohet se Policia e Kosovës ka luajtur rol kyç në këtë rezultat pozitiv, përmes zbatimit të planeve strategjike, përmirësimit të efikasitetit në hetim dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë.
Ky sukses, sipas Policisë, dëshmon përkushtimin institucional në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Një faktor kyç në këtë arritje, sipas raportit, është puna e Policisë së Kosovës, e cila përmes planeve strategjike dhe objektivave të qarta në luftimin e krimit, ka arritur të forcojë ndjeshëm sigurinë publike dhe besueshmërinë institucionale ndër vite”, thuhet në njoftim. /teve1.info/









