Qeveria e Kosovës ka vendosur masë në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 % për disa produkte që prodhohen në këto dy shtete.
Shala tha se nga kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës
Sipas ministrit Shala, kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy shtete.
Zëvendës Kryeministri Enver Hoxhaj, duke folur në këtë mbledhje foli edhe për aspektin politik të kësaj mase të vendosur.
“Serbia po shpërndan shuma të mëdha parash që ta dëmtojë shtetin e Kosovës dhe një pjesë e madhe e këtyre parave vijnë nga tregtia me shtetin tonë”, tha Hoxhaj.
Kjo është përgjigja më e mirë ndaj sjelljeve destruktive të Serbisë”, tha Hoxhaj duke i ftuar edhe qytetarët që të mos i blejnë produktet e Serbisë.
“Besoj që që nga sot edhe valixhja e Ivica Daçiqit prej sot do të jetë më e vogël dhe më e hollë për të punuar kundër Kosovës”, tha Enver Hoxhaj.
Ndërsa kur u miratua propozimi, kryeministri Haradinaj deshi të sigurohej se ky vendim nuk i prek brendet ndërkombëtare që prodhojnë në Serbi e Bosnjë.
“Coca Cola nuk është prekur nga ky vendim”, tha Haradinaj.