Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk po arrin që të mbulojë një fushë të ndjeshme, siç janë barnat. Ata nuk po arrijnë të inspektojnë mungesën e deklaracioneve në gjuhën shqipe në këto produkte.
Të pyetur nga Reporteri, ata në një formë kanë pranuar se po shkelet ligji duke lejuar të qarkullojnë produktet pa deklaracion, mirëpo janë justifikuar me mungesën e inspektorëve.
Sipas tyre, për shkak të kapaciteteve të vogla dhe fushave të shumta që i mbulojnë Inspektorati I MTI-së, është e pamundur që të mbulohet në tërësi fusha e deklaracionit të baranve.
“Ne si MTI kur hasim në raste që produktet nuk kanë deklaracion në gjuhën shqipe, marrim masa në bazë të ligjit, që është gjoba, por njëkohësisht kemi bashkëpunim të mirë edhe më inspektoratet komunale që i bashkërendojmë punët”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë, MTI thotë se rastet që evidentohen pa deklaracion në gjuhën shqipë duhet të gjobiten.
Për këtë çështje, Reporteri ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Ndryshe, deklaracioni në gjuhën shqipe për të gjitha produktet është i obliguar me ligj, dhe kjo bëhet për të sqaruar përmbajtjen e produktit./Reporteti.net.