Kosovarët çdo ditë e më shumë po rrezikohen nga sëmundjet e veshkave. Numri i pacientëve të cilët po preken nga këto sëmundje dhe po i nënshtrohen procesit të dializës është mjaft i madh. Në regjistrat e Shërbimit Klinik dhe Spitalor të Kosovës figurojnë rreth 850 pacientë nga e gjithë Kosova të cilët për momentin janë duke e kryer procesin e dializës. Ndërkohë që brenda një viti nga mjekët e QKUK’së lëshohen afro 20 udhëzime për pacientë që kanë nevojë për transplantimin e njërës veshke. E janë rreth 150 kosovarë që deri më tani i kanë transplantuar veshkat jashtë vendit.
Janë 10 pacientë kosovarë që brenda pesë muajve të parë të këtij viti kanë marrë dritën e gjelbërnga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për të udhëtuar jashtë Kosovës për ta bërë transplantimin e veshkave. Fati i këtyre rasteve është edhe në duart e donatorëve të cilët eventualisht do të shprehin vullnetin për dhurim të organeve për këta pacientë.
E për këto raste nga ana e buxhetit të shtetit deri më tani janë shpenzuar 60 mijë euro. Kështukanë deklaruar për Express zyrtarë të MSH’së.
“Deri tani, brenda këtij viti, përkrahje financiare për trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike nëpërmjet Programit për TMJIShP, bazuar ne referimet e bëra nga ana e Klinikes se Nefrologjisë në ShSKUK kane kërkuar 10 paciente. Shuma e shpenzuar deri tani për këto raste është rreth 60,000.00€”, kanë deklaruar për gazetën zyrtarë nga divizioni për komunikim nga MSH.
Sipas MSH’së brenda një viti për shërbimet e hemodializës nga buxheti i shtetit shpenzohen 3 deri në 4 milionë euro për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet e veshkave.
Ndërkohë, sipas mjekëve të QKUK’së, brenda këtij institucioni shëndetësorë brenda një viti për transplantim të orgnave udhëzohen rreth 16 pacientë. Kështu ka deklaruar, Ibrahim Rudhani, nefrolog në QKUK.
“Prej anës sonë brenda një vitit për transplantim udhëzohen 12 persona. Së paku gjatë vitit 2016 janë afërsisht 16 udhëzime, prej tyre 12 janë transplantuar. Shumica nga këta janë në Tiranë e pjesa tjetër në Turqi”, thotë Rudhani.
Sipas tij kosovarët po rrezikohen shumë nga sëmundjet e veshkave. Por, krahasuar me vendet e rajonit, numri i të prekurve sipas nefrologut është më i ulët.
“As Kosova nuk bënë përjashtim nga regjioni dhe bota. Shkaktari numër një në botë për këto sëmundje është diabeti. Por tek ne, në Kosovë numri i pacientëve që janë në dializë është shumë më i ulët në krahasim me vendet e tjera të regjionit. Sëmundjet e veshkave neglizhohen shumë në Kosovë. Duhet të jemi më të vëmendshëm karshi kësaj çështjeje”, sugjeron doktori.
Ai bënë të ditur se deri më tani në sistemin e dializës për sëmundjet e veshkave, janë rreth 836 pacientë që po e kryejnë këtë proces me gjithsejtë 316 aparate në dispozicion.
Sipas mjekëve të QKUK’së mosha mesatare e kosovarëve që sëmuren nga veshkat është prej 45 deri në 60 vjeç. Ndërkohë që ajo e transplantimeve është prej 35 deri në 60 vjeç.
E për gjithë vitin e kaluar kanë qenë 132 pacientë të cilëve u janë lëshuar referencat për ta kryer transplantimin e veshkave dhe biopsinë jashtë Kosovës.
Çështja e transplantimit të organeve në Kosovë ka mbetur një tabu në shëndetësinë kosovare që prej rastit “Medicus”. Në këtë klinikë, e cila gjendej jo shumë larg kryeqytetit, u kryen transplantime ilegale të veshkave kryesisht në pacientë të huaj.
Express, dje ka raportuar rreth mënyrës se si 20 pacientë nga Kosova i kishin transplantuar veshkat në Pakistan, shtet ky në të cilin një veshkë gjatë vitit 2006 nga kosovarët blihej rreth 900 dollarë amerikan.