Pacienti Sh.A., nga Prishtina ishte infektuar me COVID-19 në muajin gusht të vitit 2021.
Pas dy javësh e gjysmë, ai rezultoi negativ në koronavirus. Ndërkaq 10 ditë pas kësaj periudhe, ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në formularin e raportimit të vdekjes së tij, përmendet edhe sëmundja COVID-19, por sipas familjarit që nuk deshi të identifikohet, vdekja e tij u përcaktua si post-COVID.
Kjo vdekje, sipas këtij familjari, nuk u llogarit si vdekje nga sëmundja COVID-19.
Pacienti, sipas raportit, vuante edhe nga sëmundje shoqëruese, përkatësisht sëmundje kardiake, hipertension dhe diabet.
Nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se për definimin e rasteve të vdekura nga COVID-19, apo shkaktarë të tjerë, përdoren udhëzuesit e Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH) “bazuar në Klasifikimin Statistikor Ndërkombëtar të Sëmundjeve”.
Në këtë udhëzues thuhet se “një vdekje, si pasojë e COVID-19, definohet për qëllime të mbikëqyrjes si një vdekje nga një sëmundje klinikisht e përputhshme në një rast eventual ose të konfirmuar me COVID-19″.
“Përveç nëse ka një shkaktar alternativ të vdekjes, që nuk mund të lidhet me sëmundjen e COVID-19 ( si p.sh. trauma)”, thuhet në këtë udhëzues.
Në mënyrë që një vdekje të përcaktohet se është shkaktuar si pasojë e COVID-19, sipas OBSH-së, nuk mund të ketë një periudhë të shërimit të plotë nga COVID-19 dhe vdekjes së pacientit.
Në Kosovë në muajt e fundit ka pasur një rritje të rasteve të vdekjeve me COVID-19.
Vetëm nga e hëna më 13 shtator deri të dielën më 19 shtator janë shënuar 104 raste të vdekjeve nga COVID-19.