Kosova e ka turpëruar Maltën 5-0 në triumfin e saj të parë në udhëtim të shtunën, duke e bërë edhe një hap tjetër të rëndësishëm drejt promovimit në Ligën C dhe kalimit në gjysmëfinale të Ligës D në garën e re të UEFA, Ligën e Kombeve.
Kosova, që po vinte nga dy barazime në udhëtim dhe dy fitore në shtëpi në katër ndeshjet e parë në Grupin 3 të Ligës D, e regjistroi fitoren e parë në udhëtim në mënyrë fantastike duke e mundur Maltën 5-0 në “Ta ‘Qali”.
Vedat Muriqi (15′), Benjamin Kololli (70′), Donis Avdijaj (78′, 80′) dhe Milot Rashica (86′) realizuan në triumfin e madh të Kosovës.
Ekipi i Bernard Challandes ruan pozitën e parë në Grupin 3 me 11 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani në pozitën e dytë, të cilën do ta presë të martën në “Fadil Vokrri” për ta përcaktuar fitues e këtij grupi.
Kosovës do t’i konvenonte edhe një barazim në atë ndeshje.