Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur sot takimin e radhës, nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues i Kuvendit, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025.
Sadiku tha se deri te takimi i sotëm përmbyllës në KPF, janë mbajtur pesë dëgjime buxhetore nëpër lokalitete dhe interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë dhe për t`i paraqitur kërkesat e tyre, ka qenë i kënaqshëm.
KAB-in e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Riad Rashiti, i cili ka thënë se gjatë viteve 2023-2025 buxheti komunal do të shënojë rritje nga viti në vit.
Vetëm në vitin 2023 buxheti do të shënojë rritje për 3.5 milionë në krahasim me vitin 2022, kurse investimet kapitale do të jenë më të mëdha për 1.7 milion euro.
Për vitin 2024 buxheti i planifikuar do të jetë 34 milionë e 730 mijë euro, kurse për vitin 2025 – mbi 36 milionë euro, ka thënë Rashiti, i cili ka dhënë edhe hollësi tjera rreth tendencave buxhetore për tri vitet e ardhshme.
Rashiti propozoi një plotësim në buxhet, i cili është i nevojshëm për funksionalizimin e fshatit të lumtur, ku parashihet të punësohen rreth 50 persona.
Po ashtu, KPF rekomandoi për Kuvend edhe projekt rregulloren mbi taksat administrative për dhënien e lejes së ndërtimit dhe tarifën për rritje të densitetit në infrastrukturë, planin e veprimit për transparencë 2022/2026, raportin e punës për vitin 2021 të Komisionit Komunal të aksionarëve të Ndërmarrjet Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, propozim vendimin për emërimin e anëtarëve në Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena” në Gjilan.