Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në takimin e sotëm, që është mbajtur nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend propozim-rregulloren për transparencë, propozim-planin e punës të Kuvendit për vitin 2020, propozim-vendimin për orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2020, raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit dhe adresave, propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, raportin e punës për sivjet dhe planin për vitin e ardhshëm të KKSB si dhe raportet e punës të ndërmarrjeve publike Ecohigjiena, Stacioni i autobusëve dhe Tregu.
Një debat gjithëpërfshirës për të gjitha këto pika, pritet të zhvillohet në seancën e Kuvendit Komunal, që mbahet javën e ardhshme, me çka përmbyllet kalendari i punës së vendimmarrësve të Gjilanit për sivjet.
Mbledhjen e sotme të KPF, ashtu siç kishin paralajmëruar, e bojkotuan një pjesë e opozitës, dy anëtarë të LVV, një i PDK-së dhe një këshilltar i pavarur.
Ata kishin shprehur mospajtime me ndërprerjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila ishte ftuar me kërkesë të opozitës, për të diskutuar rreth problemit të lokacionit të varrezave të reja në lagjen Zabeli, që po kundërshtohet nga një pjesë e saj.
Projekti i varrezave të reja të qytetit ka filluar të realizohet në bazë të një vendimi të mëhershëm të Kuvendit Komunal, planit zhvillimor komunal dhe vendimit të qeverisë së Kosovës, që kjo pronë, e cila ishte nën administrimin e AKP-së, t`i jepet Komunës së Gjilanit për këtë destnim.