Në mbledhjen e saj të 280-të, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të anulojë procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj. Arsyeja e këtij anulimi nuk është bërë e ditur, pasi diskutimi për këtë pikë është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Në njoftimin publik, KPK bëri të ditur gjithashtu se ka shqyrtuar ankesën disiplinore AD.nr.10/2025, duke vendosur që çështja t’i kalojë Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për procedura të mëtejme, në përputhje me rregullat disiplinore dhe standardet profesionale.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së hapur të mbajtur dje, përfaqësuesi i shoqërisë civile në KPK, Visar Krasniqi, kërkoi përjashtimin e Jetish Malokut dhe Agron Qalajt nga pika që kishte të bënte me propozimin e Komisionit për rekrutim të prokurorëve. Sipas tij, të dy gjendeshin në konflikt interesi.
“Kryetari Maloku dhe zoti Qalaj duhet të përjashtohen, pasi secili ka interes personal në këtë proces. Zoti Maloku ka pasur djalin në garë – edhe pse procesi për të nuk ka avancuar – dhe anulimi do t’i shkonte në favor. Ndërsa zoti Qalaj ka vajzën në një fazë të avancuar të procesit, çka i jep interes të kundërt, pra vazhdimin e tij. Për këtë arsye, të dy duhet të tërhiqen nga vendimmarrja”, deklaroi Krasniqi.
Në reagim, Agron Qalaj njoftoi se ai është tërhequr nga diskutimi dhe vendimmarrja për këtë pikë të rendit të ditës.

