Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të premten për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
KPK ka bërë të ditur se Isufaj do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale.
Në vend të tij, Këshilli ka caktuar Dren Pacën, prokuror në Prokurorinë Speciale, si ushtrues detyre të Kryeprokurorit deri në plotësimin e pozitës përmes procedurave të përcaktuara me ligj.
Në komunikatën për media, KPK ka renditur arsyet për të cilat ka marrë vendimin për largimin e Isufajt. Sipas Këshillit, gjatë ushtrimit të detyrës janë evidentuar, ndër të tjera, “keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, “jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit” dhe “dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj”.
KPK ka përmendur gjithashtu “mospërmbushjen e standardeve të kërkuara të performancës”, e cila, sipas tij, është konstatuar përmes vlerësimit të performancës të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.
Këshilli ka theksuar se këto nuk i konsideron si vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike.
“Por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Sipas KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita.
Këshilli ka shprehur shqetësim edhe për gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale, duke vlerësuar se mënyra e menaxhimit të saj, “veçanërisht gjatë katër viteve të fundit”, ka ndikuar në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale.
“Drejtimi i një institucioni të tillë nuk mund të reduktohet në ushtrimin formal të kompetencave administrative”, ka deklaruar KPK.
Këshilli ka bërë të ditur se caktimi i Dren Pacës si ushtrues detyre synon të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të Prokurorisë Speciale dhe të shmangë çdo pengesë në trajtimin e rasteve penale.
KPK ka paralajmëruar se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë forcimit të kapaciteteve dhe rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
“KPK nuk do të tolerojë që dobësitë në menaxhim, mungesa e rezultateve apo mosrespektimi i standardeve të performancës të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor”, thuhet në komunikatë.










