Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka shprehur mirënjohje për gazetarët dhe të gjithë profesionistët e medias që kontribuojnë në mbrojtjen e fjalës së lirë në Kosovë.
Në një deklaratë publike, KPM ka theksuar se Kosova gëzon një ambient mediatik të diversifikuar dhe dinamik, duke përfshirë 19 televizione tokësore, 79 radio, 117 ofrues të shërbimeve audiovizuele dhe 32 operatorë të shpërndarjes së përmbajtjes. Kjo strukturë, sipas KPM-së, dëshmon për një pluralizëm të shëndetshëm mediatik, thelbësor për një shoqëri demokratike.
Për të garantuar që ky pluralizëm të jetë funksional dhe jo vetëm numerik, KPM ka miratuar Rregulloren për Pronësinë dhe Koncentrimin e të licencuarve, duke synuar rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin medial.
“Në këtë ditë reflektimi, theksojmë se liria e medias nuk është vetëm e drejtë për të folur, por edhe detyrim për të verifikuar, për të mos shpifur, dhe për të mos përçuar interesa të kamufluara. Në një kohë kur dezinformimi, instrumentalizimi i lajmit dhe senzacionalizmi janë rritur, nevoja për vetëdijesim rreth përdorimit të kësaj lirie është po aq e rëndësishme sa vetë promovimi i saj”, thuhet në reagim.