Komisioni i Pavarur i Mediave ka mbajtur një ligjëratë me nxënës të shkollës së mesme Gjimnazi “Ulpiana” në Lipjan, me qëllim të diskutimit të çështjeve që kanë të bëjnë me edukimin medial, përkatësisht mbrojtja nga lajmet e rreme. Ligjërata është mbajtur më 17 mars 2022, me Grupin e nxënësve për Siguri dhe Parandalim, që funksionon në kuadër të shkollës.
Qëllimi i organizimit të kësaj ligjëratë ishte promovimi dhe ndërgjegjësimi për ndikimin e lajmeve të rreme në media, rritjes së njohurive rreth pranimit, përdorimit, mbrojtjes dhe konsumit të përmbajtjeve mediale, zhvillimit të shprehive dhe aftësive që nevojiten për të zhvilluar mendimin kritik sa i përket përmbajtjeve në internet dhe teknologji tjera dixhitale.
Gjithashtu u zhvilluan diskutime me nxënësit mbi rëndësinë e analizimit dhe zbërthimit të lajmeve dhe mesazheve të tjera mediatike, me theks të veçantë format e identifikimit të lajmeve të rreme dhe parandalimit të ndikimit të tyre.
Gjatë prezantimit janë ofruar informata rreth funksionimit të mediave në Kosovë, respektivisht kuadrit të rregullimit ligjor të mediave nga ana e KPM-së. Ndërsa me fokus të veçantë ishte edhe sqarimi se si bëhet një ankesë ndaj mediave në KPM, forma dhe mënyra e paraqitjes së ankesave nga ana e qytetarëve.