Me organizim të Këshillit për Media Elektronike (CEM), nga data 23 deri më 25 nëntor në Sofje u mbajt Konferenca e parë Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Medias të vendeve të rajonit të Ballkanit. Në forum morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Rumania, Serbia, Turqia dhe folës të ftuar nga Itali, Katalonia (Spania) dhe Moldavia.
Konferencën e hapi kryetarja e CEM-së, znj.Sonya Momchilova ku u prezantua historiku, specifikat dhe aktivitetet e rregullatorit bullgar.
Në panelin “Inteligjenca artificiale në rregullim – avantazhe dhe rreziqe”, u diskutuan mundësitë e luftimit të dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes me ndihmën e teknologjisë, mundësitë e inteligjencës artificiale në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe aspektet etike.
Ndërsa në panelin “Dezinformimi dhe shkrim-leximi mediatik – probleme dhe zgjidhje” u prezantuan si mundësi projektet për të luftuar lajmet e rreme nga mediat publike.
Në panelin e tretë “Veçoritë rajonale të rregullimit dhe sfidat bashkëkohore” u diskutuan dy tema veçanërisht të rëndësishme. Në të parën, “Sfidat për rregullatorin e medias në kushtet e një konflikti ushtarak në afërsi të vendit” si dhe zbatimi i ndalimit të reklamave të lojërave të fatit në vendet të cilat e kanë ndaluar këtë aktivitet.
Gjatë forumit, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime dhe përvoja të vlefshme dhe konfirmuan dëshirën e tyre për të punuar për promovimin dhe konvergjencën e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit, për temat dhe proceset që lidhen me sfidat ndaj rregullimit të medias, të cilat dinamika e proceset moderne përcaktojnë.
Pjesëmarrësit u bashkuan rreth idesë për të vazhduar bashkëpunimin e tyre në të ardhmen, ku konferenca në Sofje hapi terrenin për takime të mëtejshme, të rregullta. Një platformë mediatike do të mbështesë shkëmbimin e informacionit, sinjaleve dhe praktikave të mira.