Pesëmbëdhjete subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës do të kenë mbi 3 milionë e 600 mijë euro, për nëntë muajt e këtij viti nga prilli deri në ditën e fundit të dhjetorit.
Kjo shumë e mjeteve u miratua këtë të mërkurë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Besnik Buzhala që është ushtrues i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, tha se ndarja e mjeteve financiare për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor 2025 është paraparë të jetë në vlerë prej 3,670,800 eurosh, raporton RTK.
Ky rekomandim i Zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike mori votat e mjaftueshme të anëtarëve të kësaj trupe, e kundërshtim pati nga Sami Kurteshi i Vetëvendosjes për ndarjen e mjeteve edhe për Listën Serbe.
Gjithashtu, është paraparë ndarja e mjeteve shtesë për mbështetjen e punës së deputetëve, në vlerë prej 106,898.31 eurosh, bazuar në rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Kurteshi, shprehu kundërshtimin e tij për ndarjen e fondeve për Listën Serbe. “Unë i votoj këto ndarje. Votoj kundër për Listën Serbe në çdo rast”, tha Kurteshi.