Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të enjten rekomandimin e Sekretariatit për rivlerësimin e votave me postë të cilat u shpallën të pavlefshme.
Pesëmbëdhjetë fletëvotime ishin shpallë të pavlefshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, më pas Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar që të njëjtat të shpallen të vlefshme.
Kjo bëri që sekretariati i KQZ-së të i rekomandojë këtij institucioni për hapjen e të gjitha kutive përmes postës, me qëllim që të vlerësohen fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme.
Por, me 4 vota për, 3 abstenime u refuzua rekomandimi i Sekretariatit.
“Sekretariati i KQZ-së e ka dorëzuar një rekomandim për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotime të dërguara në votuesit jashtë Kosovës në kutit postare të KQZ. Siç e dini, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa sipas vendimit, rreth 15 fletëvotime që janë shpall të pavlefshme në QNR. Ka vendos për to dhe e ka urdhëruar KQZ-në që t’i shpallë të vlefshme. Këto 15 fletëvotime përbëjnë gjithsej 11 vendvotime, këto 11 vendvotime janë të përfshira në gjithsej 6 komuna të cilat janë Deçani, Gjakova, Klina, Dragashi, Gjilani dhe Kaqaniku. Sekretariati i KQZ-së i rekomandon KQZ për hapjen e të gjitha kutive përmes postës me qëllim që të vlerësohen fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme. Bëhet fjalë për gjithsej 1 mijë e 631 fletëvotime të pavlefshme”, tha Besnik Buzhala, kryesues i Sekretariatit, në propozimin e tij.
Kundër këtij vendimi u shpreh anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, i cili tha se ky rekomandim i sekretariatit s’ka bazë për t’u mbështetur.
“Ne e kemi pranuar një kërkesë nga drejtori. Nuk e di a është kërkesë e tij apo mbi çfarë përfundime kanë ardh. A është bërë një komision i veçantë për këto përfundime apo ka ardh vet drejtori për këto përfundime. Një çështje çka është evidente është se vendimi i PZAP-së është marrë si rezultat i një procedure administrative. Çdo tendencë për ta aplikuar këtë vendim në rastet analoge nuk qëndron sepse PZAP-ja për secilin rast veç e veç ka marrë vendime. PZAP askund nuk ka thënë se ky vendim mundet të aplikohet në raste të ngjashme analoge. Ju keni bërë një kërkesë hipotetike që nuk do të vinte nga ju”, tha ai.
Pro rekomandimit të Sekretariatit u shpreh anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.
Duke folur për procesin e votimit me postë nga diaspora, Kurteshi tha se procesi është “i lënduar” dhe se pret që organet e drejtësisë duhet të bëjnë diçka.
“Unë e miratoj rekomandimin e Sekretariatit. Edhe ashtu kolegu përmendi rastet analoge. Do të thotë rastet e njëjta, s’po flasim për raste të tjera por të njëjta. Një çështje që hapi kolegu dhe po dua të përkrahi që thotë se procesi është i kontaminuar dhe janë fletëvotime shtypura nga një printer. Unë mendoj se kjo mandej është një çështje e prokurorisë. Unë e ftoj prokurorinë që rastet e tilla bile këto hiç ka me mijëra. Po, procesi është i lënduar dhe për ato do të hapet çështje dhe organet duhet të marrin diçka. Sa i përket kësaj çështje është se duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme nga kutitë e votimit jashtë vendit dhe të shikohen një nga një. Ato që bien në kategorinë që ka cekur PZAP-ja të llogariten dhe numërohen si të vlefshme”, potencoi Kurteshi.