Lista Serbe sërish nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Anëtarët e KQZ-së vendosën me dy vota për, dy vota kundër dhe shtatë abstenime.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër.
Anëtarët nga partitë e tjera abstenuan.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi gjatë mbledhjes tha se vota kundër për Listën Serbe shkon për faktin që nënkryetari i saj ka qenë organizator i drejtpërdrejtë i sulmit të Bansjkës.
“Radojçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka bërë një sulm të armatosur në Republikën e Kosovës me një grup terroristësh me ndihmën e qeverisë serbe. Përveç që e ka bërë ai e ka pranuar personalisht, ai ka dhënë deklaratë botërisht se ka qenë udhëheqës, organizator i sulmit të armatosur. Aty janë vrarë 4 njerëz…Pra, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve ka shpallur tre ditë zie për terroristët e vrarë në sulmin në Banjskë. Jo që s’ka hequr dorë ose s’ka kërkuar falje, por ka shpallur ditë zie duke i shpallur ata heronj”, ka thënë Kurteshi.
Ndryshe, KQZ-ja edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishte ceritifikuar Listën Serbe, por Paneli Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e kishte urdhëruar KQZ-në ta certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.









