Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtare për kryetarë në katër komunat në veri të vendit: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën më 23 prill.
Sipas këtyre rezultate dy partitë shqiptare Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike kanë fituar nga dy komuna.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë mbledhjes ku u publikuan rezultaet tha se në PZAP nuk ka pasur asnjë ankesë për ditën e zgjedhjeve, e cila ka hapur rrugë për shpalljen e rezultateve për këto komuna.
Sipas rezultateve të KQZ-së, fitues në komunën e Leposaviqit është Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Lulzim Etemi i cili ka marrë 100 vota apo me 73.5 %.
Kandidatja e PDK-së për këtë komunë, Albulena Behluli – Hetemi ka marrë 34 vota apo 25%, kurse Partia e Serbëve e Kosovës me Aleksander Jabllaboviq, 2 vota 1.5%.
Në komunën e Zubin Potokut, fitues është Izmir Zeqiri me 197 vota apo 52.2%. Kandidati i Vetëvendosjes, Flakron Hasani ka marrë 180 vota apo 47.7%
Ndërsa, në Zveçan Ilir Peci i PDK-së ka fituar 114 vota apo 59%. Kandidati i VV-së, Fetah Peci ka marrë 72 vota apo 37.3%, ndërsa kandidatja e pavarur Sllagjana Pantoviq 7 vota 3.6.
Mitrovicën e Veriut e ka fituar kandidati i VV-së Erden Antiq me 553 vota apo 66.9%. Taulant Kelmedni nga PDK ka fituar 193 vota apo 23.4%, kurse Bujar Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, 80 vota apo 9.7%
Këto zgjedhje u bojkotuan nga Lista Serbe, ndërsa që dalja në zgjedhje e qytetarëve ishte vetëm 3.47 %.