Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se sot në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të nisë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Sipas tij, para fillimit të numërimit do të zhvillohet procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
“Sot në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot një konferencë për media lidhur me zhvillimet pas ditës së zgjedhjeve.
“Për fillimin e verifikimit/numërimit në të gjitha komunat dhe për të njoftuar për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, do të mbajmë konferencë për media në orën 16:30, në QKN ‘1 Tetori’ në Prishtinë”, ka njoftuar ai.
Sipas Elezit, procesi i numërimit të votave të subjekteve politike në të gjitha vendvotimet është përmbyllur të dielën në mbrëmje, më 7 qershor, ndërsa të gjitha materialet zgjedhore tashmë janë dorëzuar në Qendrat Komunale të Numërimit.

