Komisioni Qendror Zgjedhor të enjten do të mbajë mbledhjen e radhës për të shqyrtuar raportin që del nga Qendra e Numërimit të Rezultateve pas përfundimit të procesit të hetimit dhe verifikimit të atyre vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, pasi është vërejtur ndonjë parregullësi e çfarëdo natyre.
Pas rekomandimit nga QNR, KQZ-ja do të vendosë nëse është e nevojshme të bëhet rinumërimi i ndonjë vendvotimi, me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda një kutie votimi, njofton Klan Kosova.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se me qëllim të rritjes së transparancës për procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve të cilët janë plotësuar në vendvotime, më 17 tetor, pas numërimit të fletëvotimeve.
Si procedurë, këta formularë, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqen e KQZ-së. Formularët e publikuar janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin që ka arritur në çdo vendvotim.
Elezi gjithashtu ka thënë se ky publikim është në proces e sipër dhe se duhet sqaruar se kjo nuk është një shpallje e rezultateve përfundimtare, por bëhet me qëllim të rritjes së transparencës në procesin zgjedhor dhe për t’i ndihmuar kandidatët që të shohin formularët përmes telefonit të tyre.
Ai po ashtu ka shtuar se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna në tri ndërrime, me qëllim të arritjes së afateve ligjore, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, i cili duhet të mbahet katër javë pas ditës së zgjedhjeve.
QNR është duke u bërë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve.
“Ky skanim është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krahasojmë pjesëmarrësit në votim në vendvotimet e rregullta me personat që votuan me kusht. Kjo do të na bëntë të mundur të identifikojmë rastet nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt, por edhe me kusht”.
Po ashtu, KQZ-ja është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat që janë parashtruar në këtë institucion. Afati ligjor për vendosjen lidhur me këto ankesa përfundon të enjten.