Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi të hënën që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave i takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.
Ky vendim erdhi pasi që në 15 vendvotime është hasur mospërputhje e numërimit të nënshkrimeve në
Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.
Ndërkaq, për 35 vendvotime të tjera që i takojnë vetëm komunës së Vushtrrisë, KQZ-ja mori vendim pasi që “vërehet diferenca e votave të kandidatëve”.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se këto dy rekomandime kanë ardhur nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore, që të procedohet për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike, të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën.
“Janë identifikuar 15 vendvotime, në të cilat ka mospërputhje prej një nënshkrimi dhe dy nënshkrime në listën e nënshkrimeve dhe një apo dy fletëvotime më pak ose më shumë në kutinë e votimit. Këto 15 vendvotime, si rekomandim i këshillit të operacioneve zgjedhore, është rekomanduar që të procedohet për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike, të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën. Një rekomandim i dytë është me raport që kemi pranuar për rezultatet e kandidatëve të LDK-së të dalë nga vendvotimet e Vushtrrisë, ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime, për të cilat vërehet diferenca e votave të kandidatëve, të hedhen në rinumërim të plotë”, tha Elshani.
Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, shtoi se Sekretariati është i gatshëm që sot në ora 16:00 të fillojë rinumërimin e këtyre vendvotimeve.
“Sekretariati është i gatshëm që sot në ora 16:00 të fillojë rinumërimin e kutive të votimit. Do të njoftohen edhe vëzhguesit e akredituar të subjekteve politike, të organizatave tjera. Sa i përket vlerësimit të kutive të votimit gjatë Kosovës, që janë 177 gjithsej, ju njoftoj se dje më 9 mars 2025 në ora 14:32, ne kemi pranuar vendimin e PZAP-së, pasi që të konsumohet ky afati i ankesave deri në Gjykatën Supreme, nesër mund të fillojmë me hapjen e 177 kutive me qëllim të vlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, përputhje me vendimin e PZAP-së ose më së voni të mërkurën në mëngjes”, shtoi Buzhala.