Kosova renditet ndër 32 vendet e para të cilat janë afër luftimit të koronavirusit, në statistikat botërore të cilat tregojnë një krahasim të situatës së sotme me atë të 10 ditëve më parë.
Sipas webfaqes së njohur ‘EndCoronavirus’, ndër vendet të cilat kanë marrë ngjyrë të gjelbër, që nënkupton se është drejt luftimit të këtij virusi, është edhe Kosova që pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve këto dy ditët e fundit, sërish zë vend të vendet që po arrijnë të menaxhojnë mirë situatën që është krijuar gjatë këtyre dy muajve të fundit.
Përveç vendit tonë, në listën e vendeve të cilat po e fitojnë këtë betejë janë edhe Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Slovenia e Sllovakia, ndërsa në nivel botëror, hyjnë edhe Andorra, Australia, Austria, Kina, Kuba, Estonia e Luksemburgu, por jo edhe vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia.
Këto të fundit hynë në radhën e shteteve të cilat pothuajse janë afër luftimit të këtij virusi. Përveç tyre, në këtë listë hynë edhe Bosnja e Hercegovina, Belgjika, Gjermania, Franca, Italia, Spanja e Turqia.
Ndërsa, në listën e vendeve të cilat janë hijezuar me të kuqe, e që kjo nënkupton se nevojitet të marrin masa më rigoroze në parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të këtij virusi, hynë SHBA’të, Rusia, Kanada, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Rumania e Polonia.
Në Kosovë qysh nga mostra e parë e marrë për testim më 8 shkurt deri më sot, gjithsej 895 raste janë shënuar si pozitive me koronavirus, 28 nga të cilat janë viktima të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, kurse numri i të shëruarve ka arritur në 657. /gazetametro.net