Kreu i PDK-së, Memli Kransiqi, ka reaguar pas njoftimit të KESCO rreth çështjes së prodhimit të energjisë elektrike nga KEK-u dhe nevojës për import për të përmbushur nevojat e qytetarëve të Kosovës.
Krasniqi thotë se në njoftim i tillë se gjithë konsumi i brendshëm duhet të mbulohet nga importi është alarm për gjendjen e sektorit të energjisë që është si pasojë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike.
“Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç se po përballen me çmime marramendëse të energjisë, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënim me reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka shkruar se që nga përfundimi i luftës s’ka ndodhur që KEK-ut të mos ketë fare prodhim të energjisë elektrike.
Kreu i PDK-së ka thënë se kërkon nga Qeveria që të sqarojnë se pse KEK-u s’po prodhon energji, cilat janë arsyet e degradimit të KEK-ut, a është kjo gjendje pasojë e ndonjë sabotimi të qëllimshëm ndaj KEK, a ka dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me rrymë për këtë situatë dhe kush do të mbajë përgjegjësi për gjendjen.
“Energjia është çështje e sigurisë kombëtare – dhe kjo krizë kërkon urgjentisht veprime, jo arsyetime”, ka përfunduar Krasniqi.