James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.
E, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se dëshmia e James Rubin është e qartë dhe e bazuar në fakte të pakontestueshme për drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Jo rastësisht, populli ynë thotë: trimi i mirë me shokë shumë. Edhe sot, në një kohë kur bota ka nevojë për të vërtetën dhe historia për qartësi, në Hagë po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut. James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të Presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Krasniqi tutje ka theksuar se shqiptarët kërkojnë vetëm drejtësi dhe se Kosova ka triumfuar gjithmonë mbi padrejtësitë duke pasur në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha”, ka përfunduar ai.