Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë me cinizëm se Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë që e përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka theksuar se kur ka thënë se PDK do të votojë kënddo prej atyre që nuk kanë qenë në qeveri, ka qenë një qëndrim politik për t’i dhënë rrugëdalje situatës së krijuar në Kuvend.
“…Votojmë kënd do që nuk ka qenë në qeveri për arsye se i mbajmë përgjegjës për degradimin e skajshëm që i ka ndodhur vendit në çdo fushë, por e vërteta është që s’kemi pritë që të degradojnë bash deri në atë nivel sa të propozojnë Dimal Bashën”, ka thënë Krasniqi.
“Megjithatë, kanë vendosur që ai është më i miri dhe i përfaqëson, dhe unë besoj përnjëmend që i përfaqëson ashtu siç janë, dhe sot e kemi kryetar Kuvendi”, ka shtuar ai.
Tutje, i pari i PDK-së në emisionin Debat Plus ka thënë se bllokada është përgjegjësi dhe pasojë direkte e Albin Kurtit.
Krasniqi gjithashtu ka folur edhe për deklarimin e Sami Lushtakut për me i ”ngreh zhag” të gjithë ata që nuk respektojnë Kushtetutën dhe shtetin e Kosovës duke thënë se PDK është parti e madhe dhe normal që ka edhe shkarje.
Ai tutje ka thënë se deklarimi i Lushtakut nuk është i duhuri.
”Z.Lushtaku e ka dhënë një deklaratë që nuk është e duhuna, ka qenë e pamatur që është nxjerr jashtë kontekstit siç na nxjerren të gjithëve…”, ka thënë ai.