Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur dyshime se Instituti i Mjekësisë Ligjore për qëllime të caktuara të pushtetit është rikthyer në instrument politik.
Ai këtë e ka thënë pasi një pjesë objektit të IML-së, të martën në mëngjes është përfshirë nga zjarri, ku bëhet e ditur se janë dëmtuar disa dokumente.
“Mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi. Tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik. Dikush duhet të jap përgjegjësi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të zbardhet ky rast, por edhe ai i mëparshmi.
“Për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta. Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyret kryesore të këtij Instituti. Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje” , ka shkruar Krasniqi.
Pas zjarrit që përfshiu mëngjesin e sotëm objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ministria e Drejtësisë, ka thënë se shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, raporton teve1.info
Teksa theksohet se si pasojë e zjarrit janë përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit.
“Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq rreth rastit, detaje kanë dhënë edhe nga Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës. Zëvendëskomandanti i Brigadës, Abdusamet Shkodra bën të ditur se zjarri në IML është lokalizuar dhe është nën kontroll, ndërsa thuhet se nuk ka pasur të lënduar.
Sipas informatave të tyre, zyra e djegur është e drejtorit, teksa dëme material kanë qenë dokumente të IML-së.