Organizimi i shtretërve nëpër klinika, riorganizimi i stafit shëndetësor, si dhe sigurimi i barnave dhe oksigjenit ishin disa nga sfidat kryesore me të cilat u ballafaqua sistemi i brishtë shëndetësor i Kosovës.
Si pasojë e pandemisë u rrit numri i pacientëve nëpër klinikat dhe spitalet e Kosovës, por përkundër kësaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se asnjë pacientë nuk ka mbetur pa shërbime mjekësore.
Krasniqi madje nga java e ardhshme ka paralajmëruar edhe rikthim të shërbimeve në ambulancat specialistike dhe shërbimet elektive në klinikat e QKUK-së, shërbime këto të cilat ishin pezulluar për shkak të pandemisë.
Për të përballuar fluksin e qytetarëve që ishin të prekur me COVID-19, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës u detyrua të rris kapacitetet e shtretërve.
U.d të drejtorit të këtij institucioni shëndetësor, Valbon Krasniqi në një intervistë për KosovaPress tregon se nga Klinika Infektive ku ishte paraparë të bëhej trajtimi i pacientëve me COVID, u detyruar t’i destinojnë edhe katër klinika tjera spitalore.
“Për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe fluksit shumë më të madh, tani ne u detyruam që hapësirat me shtretër t’i shtojmë shumë më shumë në QKUK dhe tani kemi pesë klinika të cilat janë duke trajtuar pacientët e infektuar me COVID. Kliniken e sëmundjeve Infektive, Klinikën e Pulmologjisë, Klinikat Internistike, objektin tek Mjekësia Sportive dhe kemi Mjekimin Intensiv Qendror. Krahas këtyre klinikave kemi edhe një repart për të sëmurët e moshës fëmijërore në Klinikën e Pediatrisë dhe po ashtu një repart tjetër për gratë shtatzëna në Gjinekologji. Ndërkohë, të gjitha spitalet tashmë repartet infektive dhe të Pulmologjisë i kanë shndërruar në reparte ku trajtohen pacientët e prekur nga COVID-i”, tha ai.
Krasniqi i ka listuar disa nga sfidat kryesore me të cilat u ballafaquan për menaxhimin e pandemisë COVID-19. U.d. të drejtorit të QKUK-së, thotë se duke e parë nevojën për shtretër të lidhur me oksigjen, kanë arritur që të rrisin kapacitetet në këtë drejtim dhe aktualisht vetëm në QKUK, kanë 200 shtretër të kujdesit intensiv.
“Mendoj se tri kanë qenë sfidat gjatë kësaj pandemie. Në një sigurimi i barnave dhe produkteve medicinale dhe oksigjeni, sidomos për pacientët e prekur nga COVID-i, riorganizimi i tërësishëm i resurseve humane dhe riorganizimi i hapësirave me shtretër shtesë. Pra, këto kanë qenë tri fushat kryesore që ne i kemi prioritizuar dhe jemi marrë në vazhdimësi për të arritur ta përballojmë fluksin e madh të pacientëve dhe e them pa modesti se ia kemi dal me sukses të plotë asnjë pacientë që ka pasur nevojë për të marrë shërbime spitalore dhe për t’u shtrirë në spitale nuk ka mbetur pa u shtrirë në spital. ..Në korrik e gusht kishim vetëm 12 shtretër të lirë kujdesit intensive. Kemi bërë përforcime të shpejta të sistemit të oksigjenit dhe nëntorin dhe dhjetorin ne tani kishim në shfrytëzim 25-26 shtretër në kujdesin intensive. Ne kishim në dispozicion të gjithë respiratorët po flas vetëm për QKUK-në, ndërkohë që edhe spitalet e përgjithshme kanë numër të kufizuar të këtyre shtretërve të kujdesit intensive. Gjatë muajit shtator dhe tetor, arritëm të shtojmë deri në 200 shtretër shtesë vetëm në QKUK”, tha Krasniqi.
Krahas mungesave dhe sfidave të shumta, si sfidë për sistemin shëndetësor ishte raportuar edhe mungesa e oksigjenit për pacientët me koronavirus. E për këtë drejtori në detyrë, Valbon Krasniqi thotë se klinikat dhe spitalet e Kosovës për asnjë ditë nuk kanë mbetur pa oksigjen. Madje ai thotë se janë lidhur me sistem të oksigjenit të lëngshëm edhe disa spitale dhe klinika në QKUK.
“Ne qëndrojmë aktualisht mjaftë mirë, kemi arritur ta stabilizojmë furnizimin me oksigjen për shkak të punëve që i kemi kryer dhe jemi duke i vazhduar….Në të gjitha spitalet do kemi rezervar të oksigjenit të lëngshëm dhe do zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e furnizimit me oksigjen. Ky është një vendim i imi me grupin tim që kemi punuar kur e kemi parë nevojën për të kaluar nga furnizimi i oksigjenit me bombola të gazta në atë me sistem të lëngshëm. Për tri arsye oksigjeni i lëngshëm është më i qasshëm në tregun rajonal, mund të arrihet më shpejt dhe më lehtë, është shumë më i lirë sesa oksigjeni me bombola të gazta dhe kërkon fuqi punëtore shumë më pak…QKUK asnjë ditë të vetme nuk ka mbetur pa kontrata të oksigjenit pra në gjithë kohën kemi pasur kontrata me operatorë të licencuar ato kontrata janë rinovuar tash kohëve të fundit ende pa përfunduar për shkak të kontratave të tilla dhe ne jemi furnizuar me oksigjen medicinal”, tha ai.
E për shkak të situatës epidemiologjike në vend, shumë shërbime që nuk ishin urgjente dhe në veçanti shërbime në Ambulancat Specialistike ishin ndërprerë. Për këtë Krasniqi thotë se nga java e parë e janarit do rikthehen këto shërbime.
“Jemi të vetëdijshëm që është cenuar në njëfarë mënyre marrja e atyre shërbimeve, por jemi detyruar ta bëjmë një gjë të tillë. Ju e dini që edhe në fillim të pandemisë janë suspenduar shërbimet në ambulancat specialistike po ashtu edhe intervenimet apo operacionet kirurgjike elektive, më pastaj pas situatës më të mirë u rikthyen ato shërbime për t’u pezulluar sërish gjatë muajve nëntor-dhjetor kur kishim numër të madh të rasteve. Ne këtë javë me komitetin e menaxhimit të pandemisë në nivel të SHSKUK-së e kemi analizuar situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jemi duke e përcjell me vëmendje numri e pacientëve nëpër spitalet tona dhe kemi planifikuar që qysh javën e parë menjëherë pas festave të fundvitit , të rikthejmë shërbime specialisitike dhe po ashtu me një plan gradual edhe rikthimin e operacioneve elektive”, tha ai.
Për mungesën e barnave nëpër klinikat ku trajtoheshin pacientët me koronavirus, Krasniqi tha se ka pasur mungesa të herë pas hershme. Ai tha se prej ilaçeve antivirale që klinicitët ua përshkruan pacientëve, asnjëherë në klinika nuk ka pasur Remisivir, ndërsa Favipiraviri ka qenë i pranishëm.
“Sa i përket barnave anti-COVID ato të cilat janë në udhërrëfyesin klinik që përdoren unë i ndaj në tri grupe: barnat mbështetëse siç janë tretjen infuzive, vitamina, analgjetik, antiperetik të cilat kanë qenë në vazhdimësi prezent dhe kanë qenë në dispozicion të klinikave. Barnat antibiotik ku prej antibiotikëve shumica prej tyre i kemi pasur ka pasur mungesa të herë pas hershme të ndonjë antibiotiku të caktuar, megjithatë, ka qenë zëvendësimi i atij antibiotiku së fundmi tash jemi furnizuar me doza të mëdha edhe të cefriaksonit dhe na mungon të them të drejtën vetëm Imipermeni por që përdoret shumë rrallë dhe vetëm në raste specifike. Dhe grupi i tretë janë këto barnat antivirale si Favipiraviri dhe Remdesivir. Favipiravirin e kemi pasur në dispozicion gjatë gjithë kohës pasi kemi marr donacion ndërkohë që Remdesivirin nuk e kemi pasur asnjëherë në dispozicion pasi ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur t’i përmbyll procedurat e blerjes ” , theksoi ai.
Rrugëtimin e tij në luftën e pandemisë COVID-19, Valbon Krasniqi e kishte nisur si infektolog në Klinikën Infektive, e më pas ai mori detyrën si ushtrues detyre i drejtorit të SHKSUK-së, pasi nga ky post tashmë ishte shkarkuar, Basri Sejdiu.
E për këtë, ai tha se është ndjejnë shumë e mirë kur je në shërbim të pacientëve. Krasniqi madje e kujton edhe momentin kur kishte trajtuar pacientin e parë të dyshuar për COVID në muajin shkurt. Por shton se posti i drejtorit i jep mundësinë që të avancojë shërbimet spitalore në të mirë të pacientëve.
“Qysh në janar dhe shkurt filluam me përgatitjet, trajnimet e nevojshme për stafin, për t’u mbrojtur për të veshur uniformat, për të hequr uniformat, maskat, syzet, të themi atë arsenal të pajisjeve mbrojtëse ndaj COVID-it, në shkurt e caktuam një dhomë të triazhimit dhe më kujtohet më 12 shkurt kur kisha rastin e parë të dyshimtë dhe që mora mostrën e parë të një qytetari që u kthye nga Italia…..deri në javën e parë të korrikut për asnjë moment nuk jam larguar nga Klinika Infektive dhe kemi punuar me gjithë stafin natë e ditë për t’u trajtuar pacientët……Është shumë më lehtë dhe ndjehesh shumë më mirë kur trajton pacientët direkt me COVID, edhe tash trajtoj një numër të madh të pacientëve….Edhe të qenit drejtor i përgjithshëm të jep mundësinë që t’i të bësh shumë më shumë për një numër më të madh të pacientëve. Pra, për të siguruar se po ofrohen shërbime për të gjithë pacientët e prekur nga COVID por edhe shërbimet tjera”, u shpreh Krasniqi.
Kosova rastet e para me COVID-19, i ka regjistruar më 13 mars, nga ajo kohë e deri tani pozitiv kanë rezultuar mbi 50 mijë qytetarë, ndërsa betejën me koronavirus e kanë humbur mbi 1300 persona, ndërsa janë shëruar mbi 40 mijë qytetarë.