Situata me pandeminë COVID-19 po shkon duke u rritur vazhdimisht dhe autoritetet përgjegjëse po deklarojnë se gjendja po rëndohet.
Si rezultat i rritjes së madhe të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, të gjitha spitalet rajonale të Kosovës janë mbushur me pacientë dhe nuk po ka më shtretër të lirë, në Klinik Infektive në Prishtinë nuk ka më vende.
E kjo situatë ka bërë autoritetet përgjegjëse të shqyrtojnë mundësinë e krijimit edhe të një spitali tjetër COVID në vend.
Ambulanca Specialistike në QKUK pritet që shumë shpejt të kthehet në një ambulancë COVID-19, ku do kenë mundësi të trajtohen të gjithë pacientët që kanë simptoma të këtij virusi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një intervistë për KosovaPress thotë se tashmë kjo ambulancë është e gatshme për të ofruar shërbime.
“Në kuadër të riorganizimit të hapësirave, ne përveç shtretërve kemi menduar ta riorganizojmë edhe më mirë shërbimin e pranimit të ashtuquajtura ambulancat COVID do të vendosen tek ambulanca specialistike, është bërë orari dhe janë përcaktuar ekipet që do punojnë aty. Tash pacientët kur të arrijnë në QKUK do e kenë një adresë të vetme ku do të drejtohen dhe jo të shëtisin nëpër klinika, dhe aty stafi mjekësor në bazë të kritereve të vlerësimet për pacientët që do kenë nevojë për t’u shtrirë në spital do kenë mundësi për t’u shtrirë… Shumë shpejt brenda këtyre ditëve ne do ta funksionalizojmë këtë shërbim të ri si organizim”, tha Krasniqi.
“Ne i kemi aktualisht në total që i kemi destinuar për pacientët me COVID rreth 750 shtretër në nivel të Kosovë, pra përfshirë QKUK-në dhe spitalet rajonale varësisht nga shkalla e rritjes së rasteve dhe nevojave të pacientëve ne duhet të krijojmë edhe hapësira të tjera dhe kemi plane për zgjerim të këtyre shtretërve. Por qytetarët duhet ta dinë se çdo shtrat i ri, çdo rritje e numrit të pacientëve e vë në vështirësi të mëdha sistemin shëndetësor pasi nuk është çështja vetëm e një shtrati por duhet angazhim shtesë i personelit për të trajtuar ato raste, infermierë shtesë, shërbime logjistike tjera shtesë për të mbështetur shërbimet ndaj këtyre pacientëve…. Kemi plan edhe për QKUK, kemi plan edhe për disa spitale regjionale për të zgjeruar ende kapacitetet, kemi bllokun internistik që e kemi këtu në Qendrën Klinike, po ashtu qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka diskutuar edhe opsione të tjera qoftë krijimin e një spitali të themi jashtë QKUK-së për trajtim të pacientëve me COVID. Mirëpo njëherë për njëherë jemi duke menaxhuar me kapacitete tona vetanake që i kemi”, theksoi ai.
Krasniqi thotë se gjendja me koronavirus në vend është duke u rënduar çdo ditë e më shumë. Sipas tij nga gjithsej 600 pacientë sa janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale, 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi.