Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar fillimin e projektit të ndërtimit të autostradës ‘Korridori 8’ në Maqedoni të Veriut, duke e vlerësuar atë si një lajm shumë të mirë për popullin shqiptar në këtë vend fqinj.
Ai ka theksuar se kjo autostradë do të shërbejë për lidhjen, afrimin dhe fuqizimin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
“Është lajm shumë i mirë fillimi i projektit për ndërtimin e korridorit 8 në Maqedoni të Veriut – autostradës moderne që pritet të lidhë vendbanimet shqiptare prej Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Bokujçanit, Strugës e deri në Qafëthanë.
Me një gjatësi prej 68 kilometrave, kjo autostradë me gjashtë korsi, do të ndikoj jashtëzakonisht shumë në lidhjen, afrimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të cilët jetojnë nëpër këto qytete”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka përgëzuar faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut për punën e tyre të rëndësishme për ndërtimin e kësaj autostrade. “Përgëzoj faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në krye me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, por edhe Zëvendës Kryeministrin Artan Grubi, të cilët po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë atje”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka shprehur keqardhje për faktin që Kosova nuk po përjeton një ritëm të ngjashëm të punës dhe zhvillimit siç po ndodh në Maqedoninë e Veriut. E për këtë ai ka kritikuar qeverinë aktuale.
“Fatkeqësisht, të njëjtin ritëm të punës dhe zhvillimit nuk po e përjetojmë në Kosovë. Qeveria e cila është zgjedhur për të punuar, me përjashtim të urës 3-metërshe në Saradran të Istogut, ka vendosur ta kaloj mandatin e saj pa asnjë projekt që përmirëson konkretisht dhe denjësisht jetën e qytetarëve tanë”, ka nënvizuar kreu i PDK-së.