Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se në kohën kur e gjithë Evropa dhe vendet e rajonit po përgatiteshin për një krizë energjetike, Qeveria Kurti sipas tij e neglizhonte këtë situatë.
Krasniqi tha se ka arsye të besojë që një neglizhencë e tillë ka qenë e qëllimshme.
“E qëllimshme sepse kur filloi të dalë në prillin e vitit të kaluar dëshmitë e skandalit më të madh korruptiv e financiar që ndërlidhet me energjinë që ka ndodhur në rajon së paku që është publik ku kryefjala dhe kryeprotagonisti është miku i Albin Kurtit, Martin Berishaj që sot mbetet ambassador me kallëzime penale e me gjithë këto dëshmi atëherë normalisht që mundemi me u kthy e me thanë ndoshta këta vetë nuk kanë dashur që të përgatiten sepse kur ndodh pastaj situate që na ndodhi me rënien e bllokut B2 në dhjetor të 2021-tës atëherë duhet të blejmë rrymë shtrenjtë dhe kush po na e blen dhe kush po na e shet rrymën, u pa disa muaj më vonë që është Martin Berishaj”, deklaroi kreu i PDK-së në Klan Kosova.
Tutje, i pari i PDK-së tha se të vetmin prioritet që Kurti ka pasur në Qeverinë Kurti 1 është vendosja e miqve të tij në borde të KEK-ut.
“Kur të ndalemi të analizojmë edhe çështjen tjetër, në Qeverinë Kurti 1, boll jetëshkurtër ka qenë, të vetmen punë dhe prioritetin kryesor e kishte pasur ky zotëri, kryeministër tash në Qeverinë Kurti 2, me e ndërru bordin e KEK-ut, me i qu miqtë e tij dhe ta zgjedhë njeriun kryesor që ka pasur në Vetëvendosje për energji, Nagip Krasniqin ta bëjë drejtor në KEK”, tha Krasniqi.
Krasniqi pretendoi se kryeministri Albin Kurti, pothuajse 90 përqind të njerëzve në borde i interviston vetë.
“90 përqind e njerëzve në borde i merr në pyetje vetë, interviston vetë, kjo është e pashembullt, kjo nuk ka ndodhur kurrë”, tha ndër të tjera, kreu i PDK-së.
I pyetur nëse ka argumente për një gjë të tillë si dokumente, ai tha që për këtë të tregojnë njerëzit.
Tutje ai pohoi se të intervistuarit, Kurti i thirr në Qeveri që t’i marrë në pyetje.
“Në zyrë të Qeverisë, i ka marrë në intervistë të gjithë ata që kanë përfunduar, tani ndonjë edhe nuk ka përfunduar, me ndonjë është idhnueshëm, ndonjë edhe tregon, kështu që ka dëshmi por nuk më takojnë mua”, tha Krasniqi.