Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë seancës së sotme në Kuvend, deklaroi se kryeministri i vendit Albin Kurti, ka shprehur një pafuqi të Kosovës duke mos e zbatuar vendimin e targave ilegale.
Sipas Krasniqit, marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel, ishte një çështje të cilën Kurti ka pasur mundësi ta kryejë në dakordim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo çështje vërtetë ishte kompetencë ekskluzive e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti, arritën që ta shndërrojnë në temë të diskutimit, duke e bërë palë Serbinë dhe Aleksandar Vuçiqin për një çështje e cila ishte krejtësisht kompetencë e tyre. Pra, Kurti ka mundur ta bëjë këtë vet atë që e bëri dje në Bruskel, por duke u dakorduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë, e duke hyrë në një proces në të cilin dje Kurti u dorëzua, mua më vjen keq që në këtë mënyrë ka shprehur një pafuqi të Kosovës duke mos qenë e mundshme ta zbatojë vendimin për tabelat. Po ashtu, duke krijuar edhe shpenzime për zgjedhjet të cilat kanë mundur të evitohen, por edhe duke ndjellur frikë, panik dhe krizë të panevojshme sidomos në veri”, deklaroi Krasniqi para deputetëve.
Megjithatë, kryetari i PDK-së, tha se e kanë mirëpritur dakordimin që ka ndodhur mbrëmë në Bruksel, pasi sipas tij, në këtë mënyrë do shmanget përshkallëzimi i situatës në veri, raporton teve1.info.
Më tutje, Krasniqi drejtuar kryeministrit të vendit Albin Kurtit dhe kryenegociatorit Bisnik Bislimit, u tha se çfarë do ndërmarrin ata lidhur me ikjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
“Askush nga ju nuk po tregon a do ketë normalitet në veri siç ka pasur”, shtoi tutje ai.