Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka dhënë qartësi.
Ai ka thënë askush nuk mund të imponojë votimin e fshehtë dhe të ndryshoj rendin e ditës.
Krasniqi në Facebook ka shkruar se mirëpresin vendimin që sipas tij i dha fund vonesave të qëllimshme nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.