Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nëpërmjet një video-mesazhi i është drejtuar kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me aferën e raportuar për ambasadorin kosovar në Kroaci, Martin Berishaj.
Krasniqi ka drejtuar një varg pyetjesh Kurtit se pse nuk po shkarkohet Berishaj duke përmendur edhe shuma rreth kësaj afere të raportuar të cilat sipas tij ngrehin dyshime për Qeverinë e Kosovës, njofton Klankosova.tv.
“Kjo aferë e Martin Berishajt, e raportuar në media ndërkombëtare, ngre dyshime serioze për Qeverinë e Kosovës. Si mund të flitet për respektimin e shtetit të së drejtës, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë përfshihen në afera të tilla financiare dhe ata mbrohen nga krerët e shtetit? Si e ndikon ky skandal imazhin e shtetit tonë, tani kur jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi, mes tjerash, thotë se qytetarët me të drejtë po e kërkojnë të vërtetën dhe ata duhet ta dinë tregimin e plotë.
“Dhe më e rëndësishmja: Kryeministër, pse po heshtë për këtë skandal dhe pse po e mbron kaq shumë bashkëpunëtorin tënd të ngushtë, Ambasadorin Martin Berishaj? Ju keni premtuar se do ta luftoni korrupsionin, e tash ndodheni në mesin e një skandali rajonal të korrupsionit. Po vepron si një struc kryeministër, duke e zhytë kokën në rërë dhe duke pritë që ky problem disi do të kalojë. Por, këtë herë nuk do t’ia dalësh duke heshtur. Qytetarët po e kërkojnë të vërtetën dhe ata meritojnë ta dinë tregimin e plotë për aferën Martin Berishaj”, u shpreh Krasniqi.