Të martën, ka nisur seanca e mëtejshme për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas zgjerimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorisë Speciale.
Me këtë rast ish komandanti i UÇK-së, Jakup Krasniqi në fjalën e tij deklaroi se ai ka luftuar për lirinë e vendit, dhe se kurrë nuk ka shfaqur shenja egërsie apo përbuzje ndaj të dobëtit.
“Kërkoj që të më kuptoni drejtë, që gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet në mënyrën më të qartë në raport me më të fortin, por më të dobëtit kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie e as përbuzje, veç dhëmbshmëri njerëzore. Padrejtësisë sado e rrezikshme që ishte, dhe është edhe sot se është nisur nga e njëjta logjik që e kam jetuar në Jugosllavi, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë, sot po i them vetëm pak fjalë”, tha Krasniqi.
Tutje ai drejtoi akuza të rënda drejt trupit gjykues, duke thënë se kanë ngritur aktakuzën ndaj tij duke u bazuar vetëm në gënjeshtrat e Serbisë. “Mbase jam gabim por kurrë nuk kisha besuar, sikurse mos të ishte ky rast se jurist të shkolluar në vende me traditë liberale, që pretendojnë që punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile guxojnë të formojnë një akuzë që mbështetet vetëm në gënjeshtrat e Serbisë, dhe që cenon jetën dhe lirinë e individit, dhe jo vetëm”, theksoi ai.
“Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë, që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën familjeve që guxuan të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e tyre”, tha tutje Krasniqi.
Ai në fund u deklarua i pafajshëm për akuzat që pretendohet se i ka kryer.
“E kam lexuar aktakuzën bashkë me shtesën e fundit, dhe mund ta them me bindje se e kam të vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin, dhe jam i bindur që vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm dhe kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe mos të na mban kaq gjatë në paraburgim”, tha ish komandanti i UÇK-së.