Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit të 11-të të seancës konstituive të Kuvendit ka deklaruar se mund të vijnë edhe 111 herë të tjera por Albulena Haxhiu nuk do të kalojë.
Krasniqi ka thënë se përgjegjësia për të bërë hapin e parë për zhbllokimin e situatës i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai e ka ftuar sërish LVV-në që të ndryshojnë propozimin e tyre dhe të vijnë me një kandidaturë të re.
“Përgjegjësia është e tyre, atyre iu takon që ta bëjnë hapin e parë ata po e përsërisin të njëjtën por një gjë le ta kenë të qartë që kur nuk të pëlqen dhe nuk pajtohesh me të vërtetën e me realitetin nuk mund ta ndryshosh atë por duhet ta ndryshosh vetveten. I ftoj që ta ndryshojën këtë mentalitet autoritar imponues dhe të vijnë me një kandidaturë e cila mund ta zhbllokoj këtë situatë përndryshe mund të vijmë edhe njëqind e njëmbëdhjetë herë të tjera me shumë keqardhje dhe duke u shtrënguar para qytetarëve të vendit tonë por Albulena Haxhiu nuk kalon”, ka thënë ai.